Data:
16.10.2025.
Ora:
20:00
Info
Premiera e veprës koreografike të vallëzimit bashkëkohor “Brendësia e Kostumit” me konceptin e krijuar nga Gëzim Sertollaj është shfaqur të enjten mbrëma para publikut në Shtëpinë e Kulturës “Xhemajli Berisha” në Prizren.
Katër performuesit në skenë, përmes vallëzimit, kanë mishëruar karaktere njerëzore, duke hulumtuar dinamikat dhe ndryshimet fluide në marrëdhëniet ndër-njerëzore. Me lëvizje të gjalla dhe të ndërthurura ata kanë pasqyruar realitetin e përditshëm, që mund të haset në mjedise të ndryshme.
Edhe pse kanë ndarë të njëjtën hapësirë skenike, trupat e tyre herë janë bashkuar me fluiditet e herë janë ndarë me lëvizje të tensionuara, duke ndërtuar një koreografi që ka kaluar mes harmonizimit të energjive dhe përplasjes së egos. Një varëse simbolike i ka mbajtur të lidhur, duke reflektuar rrënjët, përkatësinë dhe kufijtë e identitetit, ndërsa kostumi, si element dallues, ka shërbyer për të theksuar individualitetin e secilit, megjithëse brenda tij fshihet një botë e përbashkët.
E tëra është vënë në pah me ekspresivitetin e lëvizjeve, që kanë ndryshuar mes dridhjeve të ndjeshmërisë së brendshme dhe gjestikulacioneve të fuqishme, të shoqëruara nga muzika e veçantë e kompozitorit Rene Aubry, dhe ndriçimin nga Skender Latifi.
Kjo vepër koreografike është prodhim i OJQ “DancePriFest”, me konceptin e koreografit Gëzim Sertollaj, derisa në skenë janë paraqitur Abdo Shuki, Fitim Kolgeci, Hysen Rrafshi dhe vetë Sertollaj.
Kjo vepër koreografike është prodhim i OJQ “DancePriFest”, me konceptin e koreografit Gëzim Sertollaj, derisa në skenë janë paraqitur Abdo Shuki, Fitim Kolgeci, Hysen Rrafshi dhe vetë Sertollaj.