Përshkrimi

Data:
30.10.2025.

Ora:
20:00

Info

Pikënisja e kësaj shfaqjeje është një histori krimi, e ndodhur 25 vjet më parë, në Prishinën e sapo çliruar që po administrohej nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

Sipas të dhënave jozyrtare, mbi gjashtëdhjetë përqind e fshatrave shqiptare të Kosovës janë djegur e shkatërruar gjatë luftës nga ushtria dhe policia serbe. Prandaj, kur përfundoi lufta në qershor të vitit 1999, streha mbi kokë ishte njëra ndër çështjet më emergjente për shumicën e njerëzve. Administrata e Kombeve të Bashkuara nuk kishte zgjidhje të shpejtë për këtë problem. Por ‘zgjidhjen’ e ofruan njerëzit e nëntokës, biznesmenët e kompanitë e ndërtimit që u sulën për ta shfrytëzuar këtë ‘terren të plleshëm’ për përfitime personale.

Një shoqëri e tërë e traumatizuar nga lufta, në një përpjekje epike për t’iu rikthyer jetës, iu nënshtrua pavullnetshëm këtij grupi të nëntokës që u ofronte ‘zgjidhje’ banimi. Prishtina filloi të gëlojë nga ndërtesat që mbinin brenda natës, me cilësi të dobët ndërtimi, pa kurrfarë plani urbanistik e pa përfillur asnjë kriter ndërtimi. Parqet u kthyen në kantierë ndërtimi, hapësira publike u tkurr nga ndërtimet. Shtëpitë e vogla u rrënuan e mbi trojet e tyre mbinë rrokaqiej.

Atëbotë, arkitekti e planifikuesi hapësinor i Prishtinës, Rexhep Luci, pothuajse i vetëm, bënte përpjekje të vinte kontroll urbanistik. Por ajo nuk ishte kohë e njerëzve që mendonin për të ardhmen. Rexhep Luci ishte kërcënuar me jetë disa herë nga njerëzit e nëntokës dhe pastaj më 11 shtator të vitit 2000, në hyrje të banesës së tij në Prishtinë, ishte vrarë nga vrasës të panjohur.

Rexhep Luci është si doktor Stokmani i Ibsenit. Veçse, për të vërtetën e tij për Prishtinën, ai pagoi çmim shumë më të lartë.

Sot çështja e ndërtimeve pa leje në Prishtinë dhe në Kosovë ka marrë përmasa katastrofike. Duke u ndërtuar në to pa plan e pa kontrollë, qytetet tona janë bërë ngulfatëse; hapësirat publike të pasigurta dhe jo miqësore. “PRISHTINA. Vrasja e paralajmëruar e një ëndrre” trajton këto çështje në skenë dhe synon të na ftojë ta rimendojmë raportin dhe përgjegjësinë tonë për qytetin, në një kohë kur ky cikël shkatërrues është institucionalizuar e normatizuar.

Këto mëse 25 vjet pas përfundimit të luftës, qyteti i Prishtinës është shndërruar në një kantier të madh ndërtimi – ndoshta kantieri më i madh në planet. Një qytet paralel, fantazmë, qëndron mbi të si kërcënim për jetën dhe të ardhmen.

Regjia: Blerta Neziraj

Aktorë: Armend Smajli, Verona Koxha, Shpëtim Selmani, Kushtrim Qerimi, Afrim Muçaj

Skenografia: Alice Vanini

Kostumet: Njomza Luci

Muzika: Tomor Kuçi

Koreografia: Gjergj Prevazi

Video: Besim Ugzmajli

Ass. Regjisor: Gëzim Hasani

Drejtore arti: Aurela Kadriu

Hulumtues dhe bashkëpunëtor artistik: Agron Demi & Instituti Atlas

Dramaturgjia: Jeton Neziraj

Dritat: Mursel Bekteshi

Mbeshtetje zhvillimore: Sven Skoric

Përkthyese: Alexandra Channer

Koordinimi: Flaka Rrustemi

Mbështetje teknike: Bujar Bekteshi, Adem Salihu, Nikolas Pipero, Arbresha Caka, Njomza Rexha.

Evente të ngjashme