Data:
27.10.2025.
Ora:
20:00
Info
Mbarësitë e mbrapshtitë e shqiptarëve thelbësojnë tekstin dhe përmbajtjen e shfaqjes, që Rushiti e ka dramatizuar – duke u frymëzuar nga “Viti i mbrapshtë” i Ismail Kadaresë, “Qerthulli politik” i Kristo Floqit, “ABC-ja e kreshnikëve” e Mitrush Kutelit dhe vargjet qortuese të Gjergj Fishtës. Teksti përçon pasigurinë e tragjedinë, që i kanë shoqëruar shqiptarët ndër shekuj.
Shfaqja nis me një sy, i cili hapet e mbyllet në faqen e skenës së pjerrët, maje së cilës qëndron një engjëll (Dora Xhemajli), duke hapur e mbyllur krahët e mëdhenj, në përpjekjen për ta pushtuar qiellin.
Poshtë syrit orvellian, Rushiti ka zgjedhur të flasë me lojën e numrave të reflektuar në pjerrinën e drunjtë skenike. Nis me 2013-shin. Vitet ecin rrufeshëm poshtë syrit para se loja e dritës të ndalet te viti 1913. Pastaj, disa burra të mbuluar kokë e këmbë me të kuqe i sulen Xhemajlit, e cila rrokulliset teposhtë pjerrinës, para se ta gjejë dhe ta shpëtojë aktori Arben Marevci, me pamjen e një të dërguari nga qielli.
Pos Marevcit e Xhemajlit, në shfaqjen prej rreth 90 minutash, role të shumëfishta luajnë edhe Blin Mani, Dashuri Rexhepi, Donikë Zeqiri, Edona Berisha, Elton Tahiri, Jajush Ramadani, Kushtrim Qerimi, Milot Salihu, Nexhat Xhokli e Sherif Bega. Ata bëhen kreshnikë e trima, politikanë e tradhtarë shqiptarë, por edhe përfaqësues të ushtrive pushtuese e diplomacive të Lindjes e Perëndimit, që po haheshin për Shqipërinë e porsashpallur Shtet. Në dialogje flitet me shqipe standarde, dialekte, nëndialekte e krahinizma, por dhe gjuhët e pushtuesve. Shqip recitohet kur thuhet se “armiku më i madh i shqiptarëve janë shqiptarët vetë”.